en ks

MISIONI

Ne punojmë me njerëzit dhe institucionet për qytetin si organizëm dhe ndërtesën si veçanti funksionale e këtij organizmi. Për qytetin në nivel institucional angazhohemi në trajtimin dhe menaxhimin e hapësirave publike dhe me arkitekturën si nën-disiplinë e trajtimit dhe lindjes së ndërtesës. Ne orvatemi që të vëmë një baraspeshë në mes arkitekturës teknike dhe asaj filozofike. Në punët tona, shkathtësitë teknike – jetojnë në harmoni të plotë me filozofinë artistike. Që nga viti 2012 kur u themelua CO-DESIGN si Studio Alternative për Arkitekturë dhe Dizajn Urban, e deri më sot ne jemi ngushtë të lidhur dhe të preokupuar me zhvillimet në këto dy disiplina. Ofrojmë ekspertizën tonë për individ dhe institucione në çështjet që ne i mbulojmë.

FILOZOFIA

Sot në Kosovë, qasja dërmuese ndaj arkitekturës, kryesisht i ka themelet tek shkolla e inxhinierisë së ndërtimit, ku gjithçka ka natyrën e dimensioneve dhe vlerave numerike, ku gjithçka sillet rreth parametrave dhe rregullave mirë të definuara, edhe pse kjo fushë e njohurive (ky perceptim) pa dyshim ka rëndësinë e madhe dhe të pamohueshme në formësimin arkitektonik. Megjithatë, kësaj qasje i mungon ajo bërthama e pasur teorike, artistike dhe filozofike që do të bënte të kuptonim thelbin e gjërave e më pas të gjitha këto ti konkretizonim në domethënien arkitektonike. Kështu që, stafi i CO-DESIGN, nuk përmban thjeshtë arkitekt (urbanist/dizajner urban) teknikisht korrekt, e të ftohtë ndaj leximit dhe interpretimit të konteksteve, por profesionistë të pajisur me natyrën filozofike të krijimit të hapësirave. CO-DESIGN në trajtimin e hapësirës, ndërlidhë dhe shkrin suksesshëm që të dy konceptet: konceptin matematikor dhe atë ekzistencial, ku hapësira përveçse është thjeshtë e matshme ajo ka gjithsesi edhe karakter, duke lidhur kështu dy funksione psikologjike bazike të njeriut, orientimin dhe identifikimin. Askund më lehtë se në praktikat e CO-DESIGN, nuk ndodhë qartësimi i pozicionimit të arkitektit karshi të kuptuarit të procesit të krijimit, duke filluar që nga frymëzimi, ideja ose koncepti e deri tek konkretizimi i saj në vepër e në hapësirë. Ne mendojmë që vetëm kështu mund të ri-gjejmë hapësirën e humbur. Vetëm kështu mund të jemi në gjendje të rinovojmë ekzistencës tonë në “creativity city” si një fazë kalimtare nga “asgjëkundi” në një qytet të orientuar nga konceptet dhe kreativiteti, përkundrejt botëkuptimit të qytetit si një saktësi teknike dhe gjeometrike.

METODOLOGJIA

• Çdo gjë evoluon.

• Qasja jonë është e bazuar në hulumtim dhe fillon duke kultivuar një vetëdije të realiteteve specifike të çdo projekti: funksional, kulturor, historik, ekonomik dhe social.

• Nga njohuritë e fituara, një gamë e gjerë e mundësive studiohen dhe testohen. Kërkohet cilësia në punë që don një përgjigje intuitivisht korrekte për çdo situatë.

• Idetë hulumtohen në vizatime, 3D modele dhe makete, drejt një destinacioni që vjen ngadalë në fokus.

• Rezultati nuk është një "zgjidhje" për "probleme" të definuara ngushtë, por rezultat natyror i një procesi në të cilin destinacioni është i panjohur, dhe ku vetëm hapi i ardhshëm konsiderohet.

• Dizajni/Projektimi është një udhëtim.

STUDIOJA JONË

“CO-DESIGN” - studio alternative e arkitekturës dhe dizajnit urban ka një staf arkitektësh me seli në Prishtinë dhe Gjakovë, që ia dedikon suksesin e saj prioriteteve të caktuara qartë dhe punës së palodhshme dhe tejet serioze grupore. Ofrojmë shërbime me mundësi e zgjidhje të pa fundme artistike, arkitektonike dhe urbanistike brenda filozofisë së CO-DESIGN si mentalitet profesional. Shërbimet tona përfshijnë kwto fusha: Arkitekturë, Dizajn Urban, Dizajn Interieri, Dizajn Industrial dhe Dizajn Grafik. Ne, përgjatë rrugëtimit deri tek bashkimi në bashkëpunimin me emrin CO-DESIGN kemi qenë të angazhuar në një sërë projektesh të natyrave të ndryshme Urbane dhe Arkitektonike. Vizionar dhe të talentuar në koncept, planifikues të kujdesshëm, të pa gabueshëm në llogaritjet investive dhe transparent në menaxhimin e projektit – këto katër kompetenca janë vlera e shtuar e secilit prej arkitektëve tanë. Që nga viti 2012, studioja jonë është zhvilluar dhe rritur në mënyrë dinamike, falë punës së palodhshme grupore, përdorimit të metodave inovative në planifikim të suksesshëm dhe të pa kompromisë në mirë-trajtimin e projekteve të ndryshme.

SHOQËRIA

Njerëzit janë një element thelbësor i aktivitetit tonë. Në fakt gjithçka ndërtohet rreth jetës dhe mirëqenies së njerëzve, duke përmirësuar mjedisin ku jetojnë dhe duke i bërë ata një pjesë shumë aktive të procesit të krijimit dhe të vendim marrjes që u përket ose ka ndikim në jetën e tyre në një formë ose tjetrën. Klientët tanë vlerësojnë vëmendjen tonë ndaj arkitekturës dhe zgjidhjes konstruktive, për të krijuar hapësira të veçanta ku njerëzit ndjehen si në shtëpinë e tyre. Me ekspertizë, dhunti dhe pasion ne iu japin ndërtesave shpirtin dhe personalitetin e tyre.

PUNA KËRKIMORE

Aktiviteti i CO-DESIGN nuk kufizohet thjeshtë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të hapësirave publike nëpërmes ilustrimit dhe aplikimit të shembujve të suksesshëm, por në CO-DESIGN, ne e studiojmë procesin në mënyrë të hollësishme, dhe ofrojmë njohuri të rëndësishme, e cila i shton aktivitetit tonë një dimension më shumë, duke shërbyer si tregues për përmirësimin e mëtejshëm të politikave dhe proceseve të fushave tona të ekspertizës – arkitekturë dhe dizajn urban. Në rastin më të mirë njohuritë dhe puna jonë, shërbejnë si bazë për procese reflektimi për të inkurajuar rritje dhe përmirësim të mëtejshëm.

PARTNERËT

Partneritetet përbëjnë një vlerë karakterizuese në filozofinë e aktivitetit të CO-DESIGN. Ne jemi krenarë me partnerët, me të cilët punojmë, dhe vazhdimisht investojmë fuqishëm për forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë në nivel kombëtarë e ndërkombëtarë. Ndaj dhe jemi të lumtur të ndajmë çdo sukses me secilin prej partnerëve tanë, duke qenë se ata të gjithë, në një mënyrë ose tjetër, kanë kontribuar në rritjen e vazhdueshme dhe suksesin e CO-DESIGN.